Ka qenë pjesë e atij brezi që nuk do të harrohet. Nuri Bylyku ishte një nga yjet e Tiranës së viteve 60-të, apo siç quhej në atë kohë 17 Nëntori, ndërsa lajmi është që është shuar në moshën 85-vjeçare. Ish-kapiteni i Tiranës vdiq pas një sëmundjeje, ndërsa pati një karrierë të gjatë e të suksesshme në vitet 60-të të shekullit të kaluar. Ai ishte kapiteni i ekipit të Tiranës që fitoi në 1965 titullin e parë kampion pas Çlirimit të vendit, duke i dhënë fund dominimit të Partizanit dhe Dinamos. Kryeqytetasit luajtën për herë të parë edhe në Kupën e Kampionëve, duke u eliminuar vetëm për një gol nga kampionia e Skocisë, Kilmarnok. Pasi e nisi karrierën si sulmues, përfundimisht u kthye në mbrojtës, dhe fitoi gjithsej 4 tituj me brezin e madh të asaj kohe të ekipit kryeqytetas ku bënin pjesë emra të tjerë të mëdhenj si Fatmir Frashëri, Ali Mema, Skënder Halili, Skënder Hyka e shumë të tjerë. Po ashtu, Bylyku fitoi titullin edhe me Partizanin ku luajti gjatë periudhës kur ishte duke kryer shërbimin ushtarak. Pas mbylljes së karrierës, ai vazhdoi punën te Tirana si trajner, inspektor dhe shef klubi.
Sfidanti.al