Propozimi i martesës nga tifozi i Tiranës në derbi ishte për Gines!

Nuk është aspak ide e re dhe skenarët kanë qenë nga më të ndryshmit. Në stadium, apo në pallat sporti, në mes të detit mbi varkë e motoskaf, në dimër e dëborë, në momente romantike të një darke në restorant me sfondin më të veçantë të mundshëm. Me helikopter nga qielli, apo me një inskenim gjatë një ceremonie diplomimi universitar siç ka ndodhur në kryeqytetin tonë Tiranë. Propozimet publike për martesë janë kthyer në modën e epokës në të cilën jetojmë, por gjithsesi, nuk besohet se mund të ketë pasur ide më origjinale sesa ajo e tifozit të Tiranës në derbin e fundit. Për fat, patëm një filmim cilësor nga celulari të veprimit të atij që mund ta quajmë ultrasi bardheblu, që hyri në fushë dhe bëri gjoja sikur u dëmtua, pa nisur ende ndeshja më e madhe e kampionatit, Tirana-Partizani.

U desh të kalonin jo pak sekonda paniku të rojeve të sigurisë, të disa futbollistëve kryeqytetas dhe të stafit mjekësor të ekipeve përpara sesa në fushë të shfaqej njeriun për të cilin u bë e gjitha kjo. Një vajzë e stafit të Tiranës nxitoi të jepte ndihmën, ndërsa shqetësimin e pati edhe për një arsye tjetër. Ky djalë ishte i dashuri i saj, dhe e shtangu plotësisht. Përfundimi, siç ndodh shpesh, ishte i lumtur. Videoja në Tuiter pati mbi 12 milionë shikime në faqen “Aut of kontekst futboll” (Out of context football), e padyshim që do të ketë shumë më tepër. Tifozët e Tiranës ndërkaq, festuan sikur ekipi i tyre kishte shënuar gol. Të paktën patën kënaqësi, ndërsa mërzitja e vetme ishte që ekipi bardheblu humbi.

Sfidanti.al