Kënaqësia për fitoren në Korçë ishte e madhe, dhe titulli kampion i duket më pranë se kurrë. Refik Halili, presidenti i Tiranës, u shpreh pas triumfit me Skënderbeun dhe mjafton të kalohet me sukses edhe ndeshja me Kukësin, që titulli të cilësohet bardheblu. Ai u ngacmua lidhur me planet e Tiranës për Championsin, dhe për sezonin e ardhshëm në Shqipëri.
“Duhet të kalojmë ndeshjen me Kukësin dhe vetëm pas asaj do të flasim me stafin teknik për lojtarët, – tha Halili, – për momentin, nuk mund të themi asgjë”. Por, flitet se Alban Hoxha, kapiten i Partizanit, mund të kalojë tek Tirana? “Të gjithë e kanë ëndërr të jenë te ky klub, edhe unë që jam president, sepse është klubi më i madh në Shqipëri, – u shpreh Halili, – unë nuk komentoj asgjë tani, e thashë që do flasim pas Kukësit, por nuk përjashtohet të ketë edhe të papritura”.
Ngacmimi i fundit për Ilir Dajën, mos vallë Tirana mendon për trajnerin e Skënderbeut? Nga Halili nuk pati sërish mohim, pra ai nuk tha që “ne e kemi trajnerin, nuk na duhet tjetër”, por u mjaftua të thotë se “unë Ilir Dajën e kam mik, takohem shpesh me të, por do të flasim më vonë për gjithçka”.
Sfidanti.al