Trofeu i parë u dorëzua, por kush do ta fitojë të dytin? Fati i Kupës së Shqipërisë do të vendoset sot, ndërsa Tirana dhe Egnatia luajnë finalen në “Elbasan Arenë”. Përballja nis në orën 19:00 dhe vendos përballë dy ekipe që nuk kanë sesi të jenë më të skajshme. Kryeqytetasit janë rekordmenë të Kupës, me 16 trofe, një më shumë sesa Partizani, ndonëse suksesi i fundit është arritur në 2017. Që nga ai vit janë humbur dy finale, me bardheblutë që janë rekordmenë edhe me sfida të tilla fundore, duke luajtur plot 27 bashkë me këtë të sotmen.
A mund të cilësohet favorite skuadra e trajnerit Orges Shehi? Po, nëse do të merret për bazë përvoja dhe fanela, si dhe ligji i kompensimit, që shpesh nxjerr faqebardhë një ekip që humb në një konkurrim tjetër. Tirana dështoi në mbrojtjen e titullit në Abisnet Superligë, ndonëse e mbylli kampionatin me pikë të barabarta me Partizanin. Gjithsesi, kryeqytetasit do të kenë shumë mungesa, pas dënimeve të dhëna për ngjarjet e Rrogozhinës, aq sa trajneri Shehi pohoi se në ekip janë thirrur lojtarë nga të rinjtë.
Egnatia, ndërkaq, është për herë të parë finaliste e Kupës. Nën drejtimin e trajnerit Tetova, por edhe të teknikëve përpara tij, rrogozhinasit kanë qenë surpriza e sezonit, duke dalë në vend të tretë në Superligë e duke siguruar Europën. Në Elbasan, Egnatia do të ketë përkrahje të madhe tifozësh, ndërsa bilanci sezonal flet tërësisht në favor të Tiranës.
Sfidanti.al