Pati përballë një mjeshtër të taktikës, dhe që mund të marrë barazimin thuajse sa herë që do. Kështu ndodhi me Partizanin, pasi kundër tij u vendos Kukësi i Shpëtim Duros, një trajner pragmatist, që për më tepër e njeh skuadrën e kuq, ndoshta më shumë sesa ajo njeh veten. Pavarësisht ndryshimeve të bëra në vite, dhe përtej zotësisë taktike të italianit Franko Lerda, dueli në “Selman Stërmasi” u mbyll 0-0, duke mos lejuar shkëputjen e parë të Superligës.
Kryeqytetasit patën mungesa, padyshim, por edhe kuksianët nuk ishin pa dëme, pasi sulmuesi kryesor Vasil Shkurtaj nuk mundi të luante, dhe Musta po ashtu mungoi, me Etemin jo në 100 për qind. Lerda nuk pati “në apel” Telushin, Solomonin, por edhe të tjerë. Tek Partizani, Jasir Asani po bëhet çështje, pasi lojtari nuk u aktivizua sërish.
Ndeshja e javës së 10-të, pra e para për fazën e dytë, ishte e fortë, dhe me raste shënimi për të dyja skuadrat. Gola mund të ishin shënuar disa, por nuk u arrit të realizohej asnjëherë, diçka që nuk kënaqi plotësisht asnjë skuadër. Partizani u mërzit që nuk mundi dot Kukësin, ndërsa ishte mposhtur në javën e parë në “Elbasan Arena”. Veriorët u mërzitën që mbetën sërish prapa në renditje, por barazimi në fushën e kampionëve nuk mund të quhet rezultat i keq.
Sfidanti.al