Partizani i Gegës në majë të Superligës, Asani mund Teutën

E mira do kohën e vet, por duket se më në fund ka ardhur. Partizani është, mesa kuptohet, e mira numër 1 e këtij kampionati, siç e tregoi me suksesin ndaj Teutës, edhe pse duhet të presë reagimin e rivalëve. Një sukes 3-0 ndaj një ekipi që pak ditë më parë mundi 2-0 Skënderbeun kampion, pra diçka aspak e vogël.

Ky është Partizani i Skënder Gegës, trajnerit që ka provuar kapriçot e profesionit duke punuar me ndërprerje të mëdha, por që po ndihet vërtet profesionist në atë që mund të quhet shtëpia e tij.

Epërsia e të kuqve në “Selman Stërmasi” ndoshta nuk ishte dërrmuese, por gjithsesi e tillë që mund ta ketë vetëm një skuadër e përgatitur mirë, që e meriton emrin kolektiv.

Jasir Asani është lojtari i momentit, autor i dy golave, ndërsa dallohen edhe të tjerët, Mala, Hila, Mensah apo Telushi, pa harruar kapitenin Alban Hoxha, një garanci në portë.

Me këtë fitore, Partizani u ngjit në kuotën e 16 pikëve, me 5 fitore në 7 javë Superligë, ndërsa humbja e javës së parë në Korçë ka nisur të harrohet, ashtu siç po harrohet edhe goli i vetëm i pësuar.

Tifozët u kënaqën jo vetëm për fitoren, por sidomos për lojën dhe për golat që po shënohen të shumtë, dhe për herë të parë pas kaq kohësh, ekipi i tyre ka më shumë rrjeta sesa ndeshje.

Tashmë, kryeqytetasit presin rezultatin e rivalëve direktë për titull, në sfidën e Korçës, që do të luhet këtë të enjte, mes Skëndebeut e Kukësit. Gjithsesi, ata e kanë hedhur bindshëm kandidaturën për titull.

Javë e mirë edhe për Tiranën, Laçin dhe Luftëtarin, me tiranasit që e shpëtuan sërish për momentin stolin e trajnerit Ze Maria, me fitoren në Fushë Krujë ndaj Kastriotit.

Blazhevski shënoi dy gola, ndërsa i pari ishte autogol i Stijepoviçit. Bardhi e Marku realizuan për krutanët, trajneri i të cilëve Plori mendon dorëheqjen.

Laçi triumfoi minimalisht, por aq sa i duhej ndaj Flamurtarit në Kurbin, në një ndeshje pretendentësh. Elton Gjoni shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 59-të. Gjirokastritët ia dolën ndaj Kamzës në fushën e tyre, falë një rrjete të Donald Rapos në 67’.

Java 7: Partizani-Teuta 3-0, Kastrioti-Tirana 2-3, Laçi-Flamurtari 1-0, Luftëtari-Kamza 1-0, Skënderbeu-Kukësi të enjten në 17:45.

Renditja: Partizani 16, Kukësi 13 (1), Laçi 13, Skënderbeu 11 (-1), Flamurtari 10, Tirana 8, Teuta 8, Kamza 6, Luftëtari 6, Kastrioti 4.

Sfidanti.al