Partizan, je më i miri, por ke një të keqe që nuk shënon!

Mesa duket i mungon një qendërsulmues për të qenë. Partizani tregoi në ndeshjen ndaj Laçit se është skuadra më e mirë e Superligës, por gjithsesi mezi arriti një fitore 1-0. Pavarësisht epërsisë thuajse gjatë gjithë kohës, të besuarit e trajnerit Franko Lerda u detyruan të kënaqen me rrjetën e Jasir Asanit në minutën e 26-të, duke e lënë ndeshjen me kurbinasit të hapur në mënyrë të rrezikshme deri në fund.

Nuk mund të thuhet se munguan rastet, përkundrazi, por më shumë sesa rastet spikati loja agresive, me presion në të gjithë fushën, duke rikuperuar topin menjëherë e duke e qarkulluar shumë mirë. Partizani sulmoi në të dy krahët, duke mos lejuar Laçin të demonstronte futbollin e vet. Telushi, Çinari plot katër herë, Bardhi dhe Asani dy herë patën mundësi të shënonin. Kurbinasit e trajnerit Cungu patën dy momente edhe ata, por bënë shumë pak për të marrë të paktën një pikë.

Partizani u ngjit në kuotën e 25 pikëve, duke nisur shkëputjen pasi ka 4 pikë më shumë sesa Kukësi i vendit të dytë. Bie në sy fakti se të kuqtë kanë shënuar vetëm 16 gola në 13 javë, ndaj 20 të Tiranës, e 19 të Laçit e Bylisit.

Sfidanti.al