Pak derbi edhe për nesër, tani nën dritën e djellit

Kanë mbetur edhe 28 minuta kohë e rregullt, për të përfunduar derbi midis Tiranës dhe Partizanit. Pasi futbollistët pritën relativisht gjatë, në kushte të pafavorshme atmosferike, drejtuesit e FSHF-së vendosën që ndeshja të riluhet që nga minuta kur u ndërpre, nesër në orën 14:00. Në fakt, energjia elektrike erdhi në “Selman Stërmasi”, por vetëm për pak minuta dhe u ndërpre sërish, ndërsa edhe forcat e rendit nuk mundnin ta menaxhonin më situatën në atë errësirë. E rëndësishme është, që një rast i tillë tashmë është i parashikuar në rregulloren e FSHF-së, ndërsa klubi i Tiranës, si organizator i takimit, ka bërë me dije, se nesër për pjesën e mbetur të ndeshjes, hyrja në “Selman Stërmasi do të jetë e lirë, veç faktit që do të ruhet ndarja e tifozerive, sipas tribunave.

Ja çfarë parashikon neni 126 i rregullores:

-Kur ndeshja ndërpritet për shkak të dëmtimit ose mos funksionimit të ndriçimit të fushës së lojës, ndeshja do të riluhet duke nisur nga minuta e ndërprerë.

-Masat disiplinore dhe teknike të vendosura gjatë ndeshjes së ndërprerë qëndrojnë në fuqi.