Henrik Mkitarian dhe Antoni Marsial ishin dy prej lojtarëve më pak të preferuar të Zhoze Murinjos, së bashku me Bastian Shvajnshtajgerin. Trajneri i Mançester Junajtid vendosi të provonte diçka ndryshe dhe eksperimenti krijoi një situatë krejt të re tek “djajtë e kuq”. Mkitarian dhe Marsial shkëlqyen në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Uest Hemit, një përballje aspak e lehtë, sidomos përballë një ekipi që drejtohet nga Sllaven Biliç.
Antoni Marsial ishte autor i dy golave dhe Mkitarian krijoi dy prej rrjetave, në suksesin e thellë 4-1 ndaj londinezëve. Në fushë ishin njëkohësisht katër lojtarë që duhej të përbënin një linjë ofensive që do ta kishte frikë Anglia dhe Europa. Aty ishte kapiteni Uejn Runi, mjeshtri Zllatan Ibrahimoviç, Marsial dhe Mkitarian. Mediat dhe specialistët nxisin Murinjon që tani të mos i ndahet dyshes që u ble për gati 100 milionë euro dhe ndoshta ai do ta bëjë një gjë të tillë.