Ogur i mirë për Partizanin, nuk humb asnjë miqësore me ekipt sllovene në Slloveni!

Natyrisht, nuk harrojmë se janë thjesht ndeshje përgatitore. Në këtë moment të sezonit rëndësi ka përgatitja dhe jo rezultati, por gjithsesi kur mbyll tri sfida pa humbje ndaj ekipeve që normalisht janë më lart se ty, duhet të quhet një sukses. Këtë bëri Partizani, që i dha fund miqësoreve në Slloveni, ku po kryhen fazën stërvitore duke barazuar 1-1 me kampionen e atij vendi, Mariborin. Padyshim që vendasit ishin më lart dhe patën epërsi në lojë e në raste, por gjithsesi të kuqtë e treguan veten skuadër të organizuar, së pari në mbrojtje, e pastaj duke kaluar rrezikshëm në kundërsulm. Goli i Hotit, që ishte i avantazhit 1-0, erdhi pikërisht nga kjo mënyrë loje.

Trajneri Dritan Mehmeti u shpreh i kënaqur me atë që ndoqi, që tregon se puna e gjithë këtyre ditëve ka qenë e frytshme, përkundër ndryshimeve të mëdha në ekip. Janë afruar portieri Rexhepi, mesfushorët Hoti, Romero e Telushi, mbrojtësi Atanaskoski, si dhe sulmuesi Cvetanovski, ndërsa më në fund afrikani Matondo është bashkuar me ekipi. Të larguarit janë të shumtë si Stenjo Zhunior, Kallaku, Herald Marku e të tjerë. Më herët, Partizani fitoi 2-1 ndaj Murës dhe barazoi 1-1 kundër Jadranit të Dekanit, edhe këto ekipe të Ligës së Parë të Sllovenisë. Kryeqytetasit luan në 7 korrik në Gjeorgji ndaj Saburtalos në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Konferencës, ndërsa kthimin e ka në “Arenën Air Albania” në 14 korrik.

Sfidanti.al