Nderin na e ruan Tedi Cara, golat e Superligës janë si “Kulla e Babelit”!

I kemi si ujët e paktë, por për më tepër nuk i kemi tanët. Superliga shqiptare, kampionati i një vendi me të vërtetë të varfër si nivel jetese dhe standard ekonomik futbolli, varet gjithnjë e më shumë nga prodhimi i huaj, dhe këtë e tregoi qartë java e 10-të. Në Abisnet Superligë, nga 7 gola gjithsej në 5 ndeshje të luajtura, vetëm njëri prej tyre ishte me autor shqiptar, pra lojtar të rritur në akademitë tona. Nga e premtja deri të dielën, vetëm Tedi Cara i Partizanit mund të mburret se ia doli, me golin tepër emocionues, që siguroi fitoren 2-1 ndaj Teutës në “Elbasan Arena”. Për 21-vjeçarin është një sezon shumë i mirë, ku ka shënuar 4 herë dhe ku pritet ta bëjë në vazhdimësi, por pjesën tjetër të meritave i kanë të huajt.

Golin e parë të asaj ndeshjeje e shënoi Georgiev për Teutën, ndërsa për Partizanin barazimin 1-1 e siguroi braziliani Stenjo Zhunior. Vllaznia e fitoi sfidën e saj ndaj Laçit në “Loro Boriçi”, falë brazilianit tjetër Da Silva që shënoi rrjetën e vetme të ndeshjes. Në ndeshjet e së dielës, Kukësi triumfoi 2-0 kundër Egnatias së Rrogozhinës dhe për ekipin e trajnerit italian Diego Longo, shënuan sulmuesi kroat Edi Basha dhe mesfushori serb Luka Milunoviç. Dinamo ndërkaq arriti suksesin me Kastriotin falë golit të një shqiptari, Agim Ibraimit, por sulmuesi është produkt i sistemit të futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Sfidanti.al