Kukësi fiton, por Bylisi tregon me gisht arbitrin Koçi; Teuta “hedh valle” në Shkodër!

Luajti më mirë dhe për këtë e meritoi. Kukësi mori tri pikë shumë të rëndësishme në Superligë, duke mposhtur minimalisht Bylisin në “Elbasan Arena”, ndonëse golin e vetëm e shënoi me penallti, dhe sfida nuk i shpëtoi dot polemikave. Të besuarit e trajnerit Orges Shehi arritën të ushtronin më shumë presion, e të krijonin më shumë raste në portën kundërshtare, ndërsa suksesi bëri që të ngjiteshin në kuotën e 56 pikëve, kur duhen edhe 5 javë deri në përfundim të sezonit.

Autori i golit ishte sulmuesi Vasil Shkurtaj, falë një 11-metërshi, për të cilin skuadra nga Mallakastra protestoi fort. Arbitri nuk e ndryshoi vendimin e tij dhe loja vijoi normalisht pas kësaj. Nënkampionët e Shqipërisë në fuqi shfrytëzuan cilësitë më të mira individuale si ato të Abazajt, Shkurtajt, Rrocaj apo të tjerët, ndonëse nuk patën saktësinë e duhur për të realizuar më shumë. Nxehtësia ishte e madhe në stadiumin elbasanas, dhe skuadrat bënë pushime gjatë pjesëve, për të pirë ujë, e për t’u freskuar.

Pas pushimit, nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe, pasi lodhja u ndje më shumë, ndërsa Bylisi arriti të bëhej i rrezikshëm vetëm kur kishte kaluar 1 orë lojë. Në fund, ballshiotët pretenduan edhe për penallti, por gjyqtari Andi Koçi gjykoi ndryshe. Me protesta e pakënaqësi të miqve përfundoi ndeshja, ndërsa kuksianët u lehtësuan.

Fitorja bëri të mbeteshin me shpresa, sado të pakta për titullin, dhe po ashtu i forcoi pozitat në vendin e dytë, duke i mbajtur larg Teutës, Laçit, Skënderbeut e Partizanit. Në ndeshjen tjetër, Teuta fitoi bindshëm në Shkodër, 3-0, duke vazhduar me ambiciet për një vend në Europë nga Superliga. Në “Loro Boriçi” shënuan Kallaku me penallti, Lorenco Vila dhe Aleksi, dhe trajneri shkodran, Edi Martini, arriti sukses ndaj ekipit të qytetit të tij.

Rezultatet: Kukësi-Bylisi 1-0, Vllaznia-Teuta 0-3; Dje: Partizani-Laçi 1-0, Flamurtari-Luftëtari 6-1. Renditja: Tirana 62 (-1), Kukësi 56, Teuta 50, Laçi 49, Skënderbeu 48 (-1), Partizani 47, Bylis 43, Vllaznia 39, Flamurtari 14, Luftëtari 14.

Sfidanti.al