Kukësi bën ritualin, shkarkon trajnerin Orges Shehi, zgjedh Skënder Gegën!

Vendimi që pritej nuk vonoi. Orges Shehi nuk është më trajner i Kukësit, dhe klubi verior e njoftoi zyrtarisht veprimin me postimin ne faqen e tij në rrjetet sociale. Ish-portieri i shquar i Skënderbeut dhe i kombëtares, dhe ish-trajneri i Skënderbeut shkarkohet nga detyra pesë muaj pasi mori në dorë skuadrën nënkampione të Shqipërisë.

Presidenti i nderit Safet Gjici, njeriu kryesor i klubit, gjykoi se duhej një ndryshim për të pretenduar titullin sezonin e ardhshëm. Sipas të gjitha gjasave, është punë e përfunduar që trajneri i ardhshëm i ekipit do të jetë Skënder Gega, i cili prej disa javësh është zgjedhur si alternativa e duhur nga kryetari i tanishëm i Bashkisë së Kukësit.

Shehi u ul në stol pas shkarkimit të Shpëtim Duros, ndërsa kuksianët ishin në pretendime për të fituar Superligën, në garë me Tiranën, por edhe Partizanin. Në përfundim të sezonit nuk u arrit asnjë nga objektivat e vendosura nga Gjici, sepse titulli shkoi tek Tirana dhe Kukësi u eleminua në gjysmëfinale të Kupës nga Teuta. E gjitha kjo, edhe pse skuadra e Shehit, dhe më parë e Duros, pati bilanc pozitiv me rivalët direktë si Tiranën e Partizanin. Besohet se Shehi mund të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë U21.

Sfidanti.al