Kukësi barazon në Korçë, Gjoka: Le të mos na marrin seriozisht!

Ishte një revansh për mosbesuesit ai i trajnerit të Kukësit, Ernest Gjoka, pas ndeshjes së luajtur në Korçë. Në humbje deri një minutë para fundit, skuadra kryesuese ia doli të shkëpuste pikën në një nga përballjet më të vështira të Superligës, dhe trajneri gjeti rastin të thoshte disa fjalë që i dolën nga thellësia e shpirtit.

“Ne treguam personalitet edhe pse ndeshja ishte shumë e vështirë dhe fare mirë mund të humbisnim, – tha ai, – nuk është problem të mundesh në Korçë, apo të të mundë Partizani, por ky Kukës nuk dorëzohet, prandaj edhe është i pathyeshëm. Jemi mësuar që nuk na marrin seriozisht, por ne vazhdojmë punën tonë dhe rrugën tonë”.

“Kemi 26 javë që kryesojmë, por nga java në javë thonë që ne do të rrëzohemi tani ose pastaj, thonë që nuk jemi pretendentë, por kjo nuk na bën më përshtypje, – vazhdoi trajneri tiranas, – disa duan të duken si mali, ndërsa unë them që më mirë të dukemi si ajri”.

Ishte një ndeshje me dy fytyra në stadiumin e Skënderbeut, ku vendasit treguan epërsi në pjesën e parë, por e ulën ritmin pas pushimit. Liridon Latifi ishte më i miri i kampionëve për 45 minuta, duke shënuar golin e avantazhit në 14’ dhe duke krijuar raste për Salihin, që goditi edhe shtyllën.

Kukësi u mbështet tek Pejiç, por rrezik krijuan edhe Dvornekoviç apo Musolli. Trajneri Gjoka bëri disa zëvendësime dhe skuadra e tij u tregua më kërkuese, derisa barazoi me brazilianin Kale në 89’. Rezultati 1-1 e la skuadrën e Gjokës në vend të parë me 52 pikë (dhe pa asnjë humbje), ndërsa Skënderbeu ka 50. Partizani mund të barazohet me kuksianët nëse fiton me Korabin.

Sfidanti.al