Kuksianët fitojnë 3-1 me Vllazninë në “Zeqir Ymeri” dhe e nisin fazën e dytë të kampionatit në krye të tabelës së klasifikimit. Luftëtari ndaloi Partizanin në Gjirokastër, Flamurtari i dha një asist duke mundur Skënderbeun dhe skuadra e Gjokës nuk kishte si ta injoronte një mundësi të tillë. Ndeshja u hap që në të 17’, me anë të të përhershmit Pero Pejiç, i cili shfrytëzoi një pasiguri të Cicmil.
Ndërsa diçka më pas se 20 minuta më vonë, hyn në lojë gjyqtari Juxhin Xhaja, por që gjithsesi nuk u kthye në personazh negativ. Arbitri 29 vjeçar nga kryeqyteti, fillimisht akordoi një 11 metërsh për vendasit, pas një ndërhyrje të kroatit Ivor Veicer ndaj Hasanit, një moment që gjithsesi ka nevojë për moviolë. Pejiç gabon nga pika e bardhë, por një minutë më pas ka mundësi të godasë po nga e njëjta distancë, pasi Xhaja vërshëllen për një tjetër penallti, këtë rradhë pas një gafe të portjerit Agoviç, duke ndërhyrë dukshëm në mënyrë të parregullt ndaj Pejiç. Sulmuesi kroat këtë rradhë nuk gabon, duke shënuar golin e tij të tetë në këtë edicion.
Në të 43’ është Shtupina që shfrytëzon mjaft mirë një pasim të saktë të Veicer, duke rihapur ndeshjen, por vetëm provizorisht, pasi katër minuta më vonë, Sindrit Guri i sapofutur në fushë, i jep goditjen e fundit shkodranëve, duke mos i dhënë më asnjë shans për pretenduar qoftë edhe një pikë nga ky takim.