Kristal Abazaj, ndihmë për vete dhe për Skënderbeun

Kur Kristal Abazaj u transferua në janar tek Skënderbeu (vetëm si karton), shumëkush priti që ai të bashkohej sezonin e ardhshëm me kampionët e rinj dhe të luante me ta në Champions. Gjithsesi, ngjarjet ecën tepër shpejt për t’u realizuar ky skenar, dhe dy kushte ndryshuan. Së pari, Skënderbeu mori “mandatën” e UEFA-s për 10 vjet përjashtim nga kupat e Europës, dënim që mbetet në fuqi në pritje të KAS-it, ndërsa Abazaj vazhdoi të shkëlqente dhe u thirr edhe në kombëtaren shqiptare.

Kjo bëri që vetë lojtari, por edhe presidenti korçar Takaj, të mendonin “variantin numër 2”, atë që Abazaj as nuk do të vinte këmbë në Korçë, si lojtar i Skënderbeut, dhe as nuk do ta vishte fanelën bardhekuqe. Me ndihmën e menaxherit të njohur, Shkumbin Qormemeti, lojtari ende i Luftëtarit gjeti transferimin e ëndrrave për në Europë, pikërisht tek Anderlehti.

Kartoni i kushtoi 750 000 euro sipas mediave, ndërsa Skënderbeu mori “pjesën e luanit” të parave, duke i lënë shumë më pak gjirokastritëve, ndërsa menaxherët padyshim patën fitim të madh. Takaj po pret të bëjë të njëjtën gjë edhe me Devi Bregun, nëse skenari realizohet si me Abazajn, dhe të shtijë në dorë edhe nja gjysmë milionë euro të tjera.

Këto, plus të ardhura nga ndonjë transferim tjetër, do të ishin “zahiretë e dimrit” që pritet të vijë, dhe që mund të zgjasë disa vjet jashtë Europës. Nëse Takaj do të ketë rezervat e duhura financiare, me pak ndihmë “shoqërore” edhe nga Federata, mund t’i mbijetojë “dimrit”, dhe të presë “pranverën”, rikthimin në Europë.

Sfidanti.al