Kanë kaluar shumë kohë që atëherë. Nga 2015-ta deri në 2017-ën, Skënderbeu i Korçës ishte jo vetëm Superfuqi në futbollin shqiptar, por edhe klient në fazën e grupeve të kupave europiane. Pas 6 vitesh, ekipi i shquar duhet të gëzohet që siguroi rikthimin në Superligë, pasi qendroi për vetëm një sezon në Kategorinë e Parë. Statusi në elitë u arrit pasi që nga janari ekipin e mori në dorë trajneri Ivan Gvozdenoviç që tregon vështirësinë më të madhe që pati.
“Nuk ishte e lehtë dhe merita është e lojtarëve, – thotë ai, – padyshim edhe e tifozëve, e trajnerit, unë jam i fundit. Problemi më i madh kur erdha ishte se lojtarët nuk kishin shumë besim. Ne jemi Skënderbeu dhe duhet të mendojmë vetëm për të fituar”.
Trajneri serb dëshiron të vazhdojë, ndërsa tregon se çfarë i duhet Skënderbeut për në Superligë. “Kemi ende dy ndeshje, – shprehet Ivani, – por, do të ulemi më pas me presidentin. Kemi ekip të fortë me përvojë Superlige, veçse na duhen 4-5 lojtarë”. A beson ai se në Korçë mund të kthehen kohët e lavdishme? “Unë jam optimist, – thotë Gvozdenoviçi, – kam besim se do ta kthejmë Skënderbeun e madh, por kemi nevojë për kohë, për punë dhe për fat”.
Sfidanti.al