Skënderbeu është ndëshkuar rëndë pas sjelljes së lojtarëve të tij në ndeshjen e kaluar të Superligës ndaj Kukësit. Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit vendosi të pezullojë gjatë dy prej lojtarëve kryesorë të ish-ekipit kampion, Hamdi Salihin dhe Tefik Osmanin.
Sulmuesi Salihi u dënua me 10 ndeshje pezullim, pas protestave dhe grisjes së kartonit të kuq të gjyqtarit Enea Jorgji. Mbrojtësi Osmani u pezullua me 8 takime për kartonin e kuq që mori, por sidomos për protestën e ashpër ndaj arbitrit, ndërsa pretendonte për një penallti.
Dënim të rëndë ka marrë edhe një nga zyrtarët e Skënderbeut, Gerhard Takaj, i cili është pezulliar për plot 18 muaj, pasi u akuzua për dhunë nga arbitrit.
Komisioni i Disiplinës ndëshkoi Skënderbeun edhe me 100 mijë lekë gjobë, dhe Kukësin me 200 000, për shkak të sjelljes së tifozëve. Edhe Partizani me Vllazninë janë gjobitur me nga 100 000 lekë për sjelljen e gabuar të tifozëve.
Nuk dihet nëse do të merret apo jo vendim për gjyqtarin e FIFA-s, Enea Jorgji, për gabimet e bëra në ndeshjen që përcaktoi titullin në favor të Kukësit. FSHF dënoi dy stemat e tjera të FIFA-s, Jeminin dhe Koçin, por duket se Jorgji i duhet “për farë”, ndryshe Shqipëria nuk do të ketë asnjë arbitër për aktivitetet ndërkombëtare.
Sfidanti.al