Federata Shqiptare e Futbolli dhe klubi më i titullur në vend, Tirana, kanë një dashuri anormale për njëra-tjetrën, kjo duke u nisur nga respekti që nuk është aspak reciprok. Klubi bardheblu bën gjithçka për t’i pasur të mira marrdhëniet me institucionin që drejton futbollin në vend, madje së fundi e ka ekzagjeruar disi me mirësinë e vet, duke i lënë në dispozicion stadiumin për të gjitha përfaqësueset e moshave, duke përfshirë edhe atë të femrave. Fusha e stadiumit “Selman Stërmasi” është rënduar në këtë periudhë, pikërisht si pasojë e intensitetit të ndeshjeve të zhvilluara mbi të, duke përfshirë edhe seancat stërvitore, ndërsa FSHF e konsideron veten ortake me 24 herë kampionët, për arsye se ka ndihmuar në investimin për tapetin e ri. Nga ana tjetër, tifozeria e Tiranës është më e dënuara në dy edicionet e fundit, madje ka tendenca që në këtë të riun të thyejë edhe rekordin.
Vetëm shtatë javë kampionati dhe mbështetësit e skuadrës kryeqytetase janë gjobitur katër herë për qëndrim të parregullt në shkallët e stadiumit. Deri tani, shifra që do të dalë nga arka e klubit, për t’u transferuar te ajo e Federatës është 6.5 milionë lekë (të vjetra). Ja si ndahen penalizimet për “prapësitë” e ultrasve bardheblu: 1 milionë lekë pas ndeshjes ndaj Teutës në “Niko Dovana”, 2 milionë pas derbit të luajtur në “Elbasan Arena”, 3 milionë pas Skënderbeut dhe 500 mijë me Korabin, ndeshje e luajtur si udhëtuese në “Selman Stërmasi”. Me këtë ritëm, Tirana jo vetëm që do ta lajë shpejt borxhin e tapetit të vet, por do të fillojë të kontribuojë edhe për atë që do të shtrohet në “Qemal Stafa”.