Fati nuk e ndihmoi duke e detyruar të luante jashtë fushe. Jo vetëm kaq, por u duk se ndeshja me Lushnjen në Ballsh do të shkonte keq, edhe pse kundërshtari mund të quhej më I lehti I Superligës. Vlonjatët mbetën shpejt me 10 lojtarë, pasi Bici u ndëshkua me karton të kuq, dhe më pas do të vinte një tjetër goditje e rëndë.
Lushnjarët kaluan në epërsi në stadiumin “Adush Muça” dhe për skuadrën e trajnerit Duro u mendua se mund të vinte edhe humbja e dytë pas asaj në Korçë me Skënderbeun. Gava e kapi në befasi mbrojtjen e atyre që duhej të quheshin vendas. Gjithsesi, mallkimi përfundoi këtu dhe cilësia mjaft më e madhe e kuqezinjve bëri të vetën.
Nën drejtimin e një trajneri me përvojë si Duro, dhe me një dyshe sulmi që ka disa kohë që luan bashkë, reagimi ishte I shpejt. Ishin pikërisht sulmuesit që kombinuan për golat që sollën përmbysjen. Fillimisht kroati Tomisllav Bushiç shërbeu për brazilianin Danilo Alvesh, ndërsa më pas, po brenda pjesës së parë, rolet u ndryshuan dhe shënoi Bushiç.
Edhe pse Flamurtari nuk mund të quhet një ekip I konsoliduar, me gati 80 apo 90 për qind të skuadrës të ndryshuar në verë, sërish shenja të mira ka. Prej dy vjetësh, ndër klubet me shpenzimet më të mëdha në Shqipëri, ai vlonjat do të ketë pretendime serioze për t’u kualifikuar për në Europë, edhe pse Duro gjykon se Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi janë shumë të fortë.
Sfidanti.al