Në Vlorë është ashpërsuar lufta me Federatën Shqiptare të Futbollit, madje Flamurtari është nga të paktat klube, që është treguar i drejtëpërdrejtë në një çështje që e konsideron të padrejtë. Administratori Idrizi ka folur pa doreza, madje nuk ka nguruar të përdorë edhe një gjuhë të ashpër në drejtim të titullarit të FSHF-së, si dhe ka premtuar, se së shpejti futbollistët që kanë lidhur kontratë me të do të fillojnë të shlyhen për pagat e prapambetura.
Por e rëndësishme është, që Idrizi ndodhet në Vlorë dhe jo në Stamboll dhe kjo i ka shërbyer Flamurtarit, duke treguar edhe ndaj Skënderbeut që skuadra ekziston, vetëm ka nevojë për korrektësinë e drejtuesve. Në 90 minutëshin e mbrëmshëm, pavarësisht se kundërshtari nuk ishte në lartësinë e fanelës së vet, tek vendasit ishte e vështirë të gjeje më të mirin e takimit. Liçaj, apo Beqiraj në mbrojtje, ndoshta të dy e përfunduan ndeshjen në balotazh për një notë maksimale. Zeqiri, Shkodra, Radoniç në mesfushë, apo Danilo Alvesh në vijën e parë, që është vërtetë mëkat të mos paguhet, pasi me kthimin e tij i ka dhënë tjetër pamje Flamurtarit. Dhe në fund Bushiç, i cili ka filluar të shënojë, por është edhe shumë aktiv në fazën sulmuese të skuadrës. Pra ky Flamurtar i ka të gjithë ata që i duhen… mungon vetëm karta e bankës.