Nuk pati fitues në ndeshjet e fundit të javës së pestë. Dy barazime në Vlorë e Shkodër, por që ishin krejt të ndryshëm për mënyrën sesi u luajtën duelet dhe sesi u arritën rezultatet. Më të kënaqur dolën Flamurtari dhe Luftëtari, edhe pse i pari ishte vendas, dhe i dyti vizitor.
Vlonjatët, në krizë të plotë financiare dhe sportive, arritën një barazim spektakolar 3-3 në stadiumin e tre, ndaj Laçit, një kundërshtari me më shumë pretendime këtë sezon. Në një stadium pa tifozë, vendasit kaluan dy herë në avantazh, fillimisht me anë të Pjeshkës, dhe pastaj me shkodranin tjetër, Sukajn, me penallti.
Laçi i trajnerit Starova gjeti forca të reagonte, barazoi 1-1 me Xhixhën, pastaj 2-2 me Tekon, madje kaloi edhe në avantazh falë një penalltie. Gjithsesi, Flamurtari e mori më në fund pikën e parë këtë sezon, falë Harunit pesë minuta para fundit. Trajneri kurbinas, Starova, e quajti këtë barazim si dy pikë të humbura për ekipin e tij.
Më modest barazimi në Shkodër, ku Vllaznia e Luftëtari u ndanë pa gola. Vendasit patën epërsi dhe krijuan shumë raste, por nuk arritën të shënonin. Ata madje goditën edhe shtyllën në minutat e fundit, por duket u dënuan nga mungesa e një golshënuesi tipik. Luftëtari përfitoi nga kjo dhe mori një pikë shumë të rëndësishme, në një sezon që pritet të jetë tepër i vështirë.
Sfidanti.al