Që blutë e kryeqytetit të arrijnë të shpëtojnë nga rënia në Kategorinë e Parë, do të duhet jo rruga Elbasan-Tiranë, por që të ngjisin në këmbë Everestin apo “t’i hyjnë detit në këmbë”, siç thotë populli. Përderisa këtë sezon nuk ia kanë dalë t’i bëjnë, u duk si një dorëzim i parakohshëm ai vendim i drejtuesve të klubit që t’u hiqnin lojtarëve të drejtën për të marrë autobusin për t’u kthyer në Tiranë, pas humbjes me Kastriotin në Superligë. Një sjellje e një epoke krejt tjetër, siç bëri Petrit Dumja, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në vitet 60-të, duke lënë ekipin e Partizanit që të kthehej në këmbë pas një humbjeje në Berat.
Natyrisht, atëherë ishte më keq, sepse distanca ishte shumë më e madhe, dhe sepse shërbimi interurban ishte shumë më i varfër, kështu që lojtarët qëllonte të ktheheshin edhe hipur në një karroceri Zisi apo Skode. Një vendimi i tillë i klubit bie më shumë era “punë angari” si në kohën e feudalizmit, të bejlerëve e agallarëve (përfshi edhe “pashallarët e kuq”), sesa mënyrë drejtimi e kohës në të cilën ne jetojmë. Nëse lojtarët janë një herë fajtorë për gjendjen, drejtuesit janë 10 apo 100 herë. Imagjinoni se çfarë duhet të bëjnë pronarët e Mançester Junajtidit me lojtarët e tyre, që janë më të paguarit në Premier Ligë dhe kanë dështuar në çdo objejktiv këtë sezon!
Sfidanti.al