Dashuria italiane e Partizanit, pesë trajnerë në 4 vjet, pavarësisht dështimeve!

I prezanton drejtori sportiv apo presidenti, kjo ka pak rëndësi. Partizani duket se ka krijuar një varësi nga trajnerët nga Italia, dhe kjo nuk po ndryshon pavarësisht dështimeve njëri pas tjetrit. Vetë Adolfo Sormani, i përzgjedhuri më i fundit, është një rikthim, dhe teknikët nga “il bel Paese” janë ulur pesë herë në 4 vitet e fundit në stolin e kuq. Historia nisi me Andrea Agostinelin në janar 2016.

Pesëdhjetenëntëvjeçari, me përvojë kryesisht në Serinë B dhe C, u paraqit para tifozëve dhe mediave nga presidenti Gazmend Demi, me arsyetimin se skuadra kishte nevojë për filozofi të re.

Pavarësisht kulturës dhe komunikimit mjaft pozitiv, nuk qe e thënë që Agostineli të mbijetonte më shumë se 5 muaj. Ai u largua si nënkampion i Shqipërisë, duke u bërë për disa muaj edhe trajner i Skënderbeut, por që prej 2016-ës nuk drejtoi më asnjë ekip. Partizani e largoi në heshtje, por jo se dashuria për të kaltrit u zbeh.

Përkundrazi, pas Agostinelit erdhi Adolfo Sormani, ai që është edhe aktualisht në stol. Fjalët e presidentit Demi ishin këto: “Një trajner me përvojë që ka punuar në disa skuadra, një profesionist që do të sjellë një frymë të re në skuadër, duam të dalim kampion dhe të jemi një klub i organizuar”.

Tekniku 51-vjeçar kishte përvojë me të rinjtë tek Juventusi e Napoli, si dhe si ndihmës i Xhanfranko Xolës tek Uatfordi në Premier Ligën angleze. Ai pati sukses në Champions, duke arritur kualifikimin ndaj Ferencvaroshit hungarez, e duke bërë paraqitje dinjitoze ndaj Krasnodarit rus. Kjo nuk mjaftoi dhe napoletani iku për vetëm për 4 muaj, i përfshirë në konflikte me lojtarët, së pari për shkak të ndryshimit në mentalitet.

Pasi u provua Sulejman Starova, klubi kryeqytetas mezi priti të kthehej sërish nga Perëndimi. i përzgjedhuri i radhës ishte një ish-lojtar i madh i Juventusit, Mark Iuliano, që u prezantua në 26 korrik 2017.

Numri 1 i klubit, Demi, këtë herë e pati të vështirë të jepte argumentat. “Është një trajner me energji të madhe, që ka pamje simpatike, dhe që jam i sigurt se do të punojë seriozisht”, – tha ai. Nëse italianët nuk patën sukses në Tiranë, Iuliano ishte një dështim. Partizani i tij u paraqit shumë dobët, me lojë e me rezultate dhe në fillim të nëntorit ai u shkarkua nga detyra.  “Kamerdarja e shpëtimit” ishte si gjithnjë Starova, dhe sërish në mënyrë të përkohëshme.

As edhe suksesi më i madh në 26 vitet e fundit, shpallja kampion i Shqipërisë me Skënder Gegën në stol, nuk mjaftoi që drejtuesit e kuq të hiqnin dorë një herë e mirë nga trajnerët me pasaportë italiane. i parafundit në radhë u bë Franko Lerda, këtë herë në shoqërinë e drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama.

“I vlerësoj trajnerët shqiptarë, të paktën disa prej tyre janë shumë të mirë, – tha ai, – por, më duhet një trajner që të mos e shikojë Partizanin si maksimumin, por që të na thotë se ku i kemi gabimet. Kam besim që Lerda do ta bëjë këtë, pasi ka përvojë në Itali, dhe ka qendruar gjatë apo është rikthyer tek Torino apo Leçe”.

Historia e Lerdës njihet mirë pasi është e kohëve të fundit, dhe Partizani i tij pati edhe suksese, edhe ngërçe, por sidomos u dëmtua nga konfliktet me lojtarët dhe ndihmësit. Italiani u shkarkua pas humbjes së derbit ndaj Tiranës në “Arenën Air Albania”.

Me një këmbëngulje që mund të cilësohet edhe e admirueshme, edhe e habitshme, klubi kampion përzgjodhi italianin e radhës, riktheu Adolfo Sormanin. Napolitani mund të quhet më i sakti trajner i kaltër në stolin e kuq, dhe ndoshta mund të ketë sukses, por tradita nuk e ndihmon aspak.

Sfidanti.al