Çfarë ndodhi me Tiranën kryesuese, që e dominoi Vllaznia?!

Nuk mund të themi se e dënoi thjesht mungesa e Majkëll Ngosë, edhe pse sulmuesi anglez ishte një fuqi pranë zonës kundërshtare. Në radhë të parë u duk se Tirana kishte harruar lojën e saj me qarkullim topi përballë një rivali që u duk më i motivuar dhe më i mirë fizikisht për 90 minuta. Përfundoi 0-0 Derbi i Shqipërisë në “Arenën Air Albania”, por Vllaznia meritoi të fitonte thuajse për çdo minutë në fushë. Raste për gol në të dyja pjesët, presion dhe qarkullim më i mirë i topit, shpejtësi më e madhe në veprime. U duk se faza përgatitore dimërore i kishte bërë mirë ekipit të trajnerit Brdariç, dhe i kishte bërë keq atij të Orges Shehit. Natyrisht, Tirana mban sërish kreun e renditjes së Superligës me 34 pikë në 16 ndeshje, e Vllaznia ka 26, që do të thotë mbetet 8 pikë prapa. Gjithsesi, me atë që u pa në fushë, kjo diferencë pikësh nuk u besua aspak. Kukësi do të ketë mundësi të afrohet nëse mund Dinamon sot dhe diferenca do të ishte vetëm 3 pikë. Duket pra se për titull kampion do të vazhdojë të luhet.

Java 16: Tirana-Vllaznia 0-0, Skënderbeu-Laçi 0-0; Renditja: Tirana 34 pikë, Kukësi 28, Laçi 28, Vllaznia 26, Partizani 18, Teuta 18, Skënderbeu 16, Dinamo 15, Egnatia 14, Kastrioti 8.

Sfidanti.al