Barazimi si fitore, Partizani më pranë titullit pas 1-1 me Kukësin

Diferenca mbeti 9 pikë, dhe ndeshje për t’u luajtur tani janë nga 10. Për Partizanin ishte si një fitore, barazimi 1-1 arritur në “Loro Boriçi” ndaj Kukësit, në javën e 26-të të Superligës. Edhe pse janë ende 30 pikë në lojë, edhe pse do të ketë një tjetër duel me kuksianët, sërish përshtypja është se të kuqtë kaluan provën më të vështirë, më fushën e rivalit direkt (edhe pse, realisht, në fushë asnjanëse).

Kukësi kaloi i pari në avantazh me golin shumë të bukur të Rezhinaldos nga goditja e dënimit, por nga minuta e 55-të kaluan vetëm 13 minuta të tjera, për të sjellë barazimin. Jasir Asani e fitoi vetë 11-metërshin dhe e ktheu në gol.

Veriorët e nisën më mirë ndeshjen dhe ushtruar presion, të ndërgjegjshëm se u duhej fitorja dhe të frymëzuar nga një trajner agresiv si Ramadan Ndreu. Gjithsesi, me kalimin e minutave, kryeqytetasit e mblodhën veten dhe u treguan të rrezikshëm me aksionet e tyre të shpejta. Çinari dy herë, dhe Mensah patën raste për gol në pjesën e parë, madje Çinari pretendoi për penallti në minutën e parë shtesë.

Pas pushimit, me hyrjen në fushë të Rezhinaldos, Kukësi gjeti avantazhin, por Partizani reagoi menjëherë. Bardhi mund të barazonte, pastaj Duka gjuajti nga distanca. Në 64’, Kalari gjuajti gjithashtu nga largësia, por grushtoi Frashëri, ndërsa në të 67-ën, Cuculi shkaktoi penallti ndaj Asanit. Vetë Asani e ktheu në gol për 1-1. Dhjetë minuta para fundit, Bardhi pati mundësi për golin e fitores për të kuqtë, ndërsa Shkurtaj e Xharia provuan për Kukësin, por pa rezultat. Partizani ka 54 pikë, ndërsa Kukësi 45.

Sfidanti.al