Anulohet Kastrioti-Bylis, por FSHF pranon se arbitrat qenkan kërcënuar “sistematikisht”!

Nuk dihet nëse një gjë e tillë kishte ndodhur më parë. Një ngjarje e rëndë ndodh në futbollin shqiptar dhe sjell anulimin e një ndeshjeje.  Flitet për sfidën e Superligës mes Kastriotit dhe Bylisit, që ishte në program këtë të diel në orën 15:00 në stadiumin e Kamzës.  Federata Shqiptare e Futbollit informon se ndeshja anulohet sepse arbitrat janë kërcënuar natën mes të shtunës dhe të dielës.  Burime pranë gjyqtarëvë informojnë se disa persona nga Kruja kanë shkuar natën në shtëpinë e nënës së arbitrit Juxhin Xhaja, që ishte caktuar për sfidën Kastrioti-Bylis, duke ia kërcënuar djalin. Pas kësaj ngjarjeke, Xhaja dhe ndihmësit e tij nuk kanë pranuar që të marrin përsipër gjykimin e ndeshjes.

Jo vetëm kaq, por Shoqata e Arbitrave ka informuar Federatën se nuk pranon të drejtojë asnjë ndeshje ku do të luajë skuadra e Kastriotit. Në komunikatën zyrtare të Federatës shkruhet se gjyqtarët janë kërcënuar me jetë në ndeshjen e Kastriotit me Laçin. Kjo dhunë psikologjike, që rrezikonte të kthehej në dhunë fizike, paska detyruar gjyqtarin kryesor Kreshnik Barjamaj, të asistuar nga Goka e Mersinaj, të anulonte një gol të kurbinasve. Sipas Shoqatës, arbitrat kanë pasur shpesh kërcënime këto kohë, por kanë pasur frikë të bëjnë denoncime, pasi e kanë ndjerë veten të pambrojtur. Policia informohet se ka nisur hetimin e ngjarjes, ndërsa Federata thotë se po pret zbardhjen e ngjarjes përpara sesa të marrë vendimet e duhura.

Sfidanti.al