Kukësi fitoi sfidën direkte ndaj Bylisit dhe iu afrua kreut të Superligës shqiptare të futbollit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro përballoi një duel të fortë me ekipin nga Ballshi, duke u treguar më e saktë në fund. Ndeshja përfundoi 2-1 dhe golat për kuksianët u shënuan nga Kristal Abazaj në pjesën e parë, dhe nga Eduard Rroca në minutën e 73-të.
Bylisi barazoi rezultatin, po në pjesën e parë, me anë të sulmuesit Guindo, dhe luajti shumë mirë për mjaft minuta, veçse nuk qe në gjendje ta fitonte ndeshje. Në fund, pasi Rroca kaloi sërish Kukësin në avantazh, skuadra veriore pati mundësi për një fitore edhe më të thellë. Pas ndeshjes së javës së 13-të, Kukësi u ngjit në kuotën e 21 pikëve, vetëm 1 pikë prapa Partizanit kryesues. Bylisi mbeti me 20 pikë. Në duelin tjetër të luajtur në të njëjtën orë, Flamurtari barazoi 1-1 në Vlorë me Luftëtarin e Gjirokastrës.
Sfidanti.al