Dinamo bie nga kategoria, por i “ëmbëlson” tifozët me kompleksin në Pezë!

Në fushën e lojës, ky sezon ishte për t’u harruar. Dinamo u rrëzua nga Superliga vetëm një sezon pasi u ngjit në elitë, dhe tifozët padyshim që janë tepër të dëshpëruar. Gjithsesi, edhe pse ajo që ndihet më shumë e që bie në sy është rezultati i ndeshjeve, sërish në klubin kryeqytetas ndodhin edhe gjëra pozitive. Burime brenda tij pohojnë për televizionin se presidenti Bardhi ka arritur të zgjidhë problemet që i kishin dalë këto kohë lidhur me blerjen e kompleksit të futbollit në Pezë Helmës, në perëndim të Tiranës. Çështjet e legalizimit tashmë janë të përfunduara lidhur me ndërtimet e bëra aty, dhe po ashtu është arritur marrëveshje me pronarët e mëparshëm. Investimi padyshim që është serioz, dhe flitet për 3.5 deri në 5 milionë euro gjithsej, ndërsa problem ishte edhe mënyra sesi do të bëhej pagesa. Tashmë, Dinamo mund të ndihet më e qetë dhe më e sigurt për të ardhmen, pasi në kompleksin në Pezë Helmës mund të krijojë bazat për Akademinë e saj, pa pasur nevojë për të huazuar fusha me qira, dhe me orare të kufizuara nga të tjerët. Sidoqoftë, tifozët duan së pari që blutë e kryeqytetit të kthehen sa më shpejt në Abisnet Superligë, edhe pse kënaqen edhe me investimet në infrastrukturë.

Sfidanti.al