Kamza, surpriza që po driblon edhe shefat e Federatës

Tashmë është kthyer në traditë, që në prag të fillimit të çdo edicioni, hartohet një listë në FSHF, me skuadra të preferuara dhe të padëshiruara dh pikërisht me këtë formulë luhet një garë fare e deformuar. Vetëm në futbollin shqiptar ndodh, që drejtuesit të urrejnë hapur disa klube, madje duke mos u prekur fare nga historitë të përfaqësojnë. Pra edhe këtë sezon, atë listën me emra skuadrash që duhet të fitojnë sa më pak të jetë e mundur, e kryesojnë Partizani dhe Flamurtari, vetëm nuk dihet se cilët janë në vend të parë të reditjes, kryeqytetasit, apo vlonjatët. Ndërkohë që e plotësojnë ekipe që ndodhen jashtë vëmendjes, si Lushnja, Luftëtari, apo Kamza, duke krikuar kështu dy pesëshe, njëra që mund të flerë rehat, pasi e ka gjithçka në dorë dhe një tjetër që duhet të përpiqet shumë, qoftë edhe për të arritur objektivat minimalë. Kështu, drejtuesit e Luftëtarit i janë bashkuar zërave të atyre të Partizanit dhe Flamurtarit, Lushnja është pothuajse e dorëzuar dhe me shumë gjasa do të kthehet andej nga erdhi, ndërsa skuadra e Dane Ndreut po del jashtë kontrollit.

Kjo është edhe arsyeja, se pse Kamza duhet të konsiderohet si surpriza më e bukur e futbollit të vendit, pra që jo vetëm është ndërtuar me logjikë, por po i reziston edhe perdes së hekurt të Federatës. Skuadra nga periferia e Tiranës po arrin rezultate spektakolare, megjithëse nuk është në listën e të përzgjedhurve. Këtë fundjavë ka arritur barazimin e dytë me Skënderbeun në kampionat, në po aq ndeshje të luajtura. Në javën e tetë është mundur në Vlorë, ku vendasit përfituar edhe një ndihmë direkte nga arbitri i ndeshjes, si në formë ulje gjakrash, pas javësh protestash të vazhdueshme. Dhe përdorën për shpërblim pikërisht Kamzën, skuadrën që u prish më pak punë, ose aspak. Në ndeshjen ndaj Kukësit, të luajtur në mesjavë, arbitri Meta i ndëshkoi vendasit me një gol të parregullt, por nuk i mundi dot, madje në këtë rast edhe dizenjatorët e FSHF-së janë për “Guiness”. Edhe ndeshja e fazës së parë, Kukësi – Kamza është gjykuar nga i njëjti arbitër, ndërkohë që kampionëve u mjaftoi një penallti për ta fituar takimin. Pra kjo është Kamza, skuadra që po zbukuron kampionatin, duke dribluar drejtuesit e Federatës.