Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, ndërmori një sulm tjetër, kësaj here, ai “hodhi në tapet” Shoqatën e Futbollit të Anglisë (FA), më saktë, ekipin mjekësor të saj. Për ndeshjen (4-1) me Njukasllin, ai, mbas një kohe të gjatë, mundi të mbështetej te Pol Pogba, Zllatan Ibrahimoviçi dhe Marko Roha, por mbeti pa Fill Xhonsin. Mungesa e këtij futbollisti anglez e irritoi mjaft Murinjon. Në fakt, Xhonsi luajti në ndeshjen miqësore me Anglinë, por duroi vetëm 25 minuta dhe, si pasojë, u zëvendësua, për shkak të një dëmtimi të vjetër që iu acarua në këtë ndeshje.
“Jam trajner që nga viti 2000 dhe, në karrierën time 17-vjeçare, nuk kisha parë asnjëherë që një lojtari t’i bëhet injeksion që të luajë në një ndeshje miqësore. Asnjëherë. Asnjëherë”, vuri në dukje Murinjo, duke theksuar: “Unë nuk jam ëngjëll, edhe unë kam dhënë urdhër që lojtarëve t’u bëhen injeksione, por, asnjëherë, në ndeshje miqësore. Që t’i bëhen dikujt gjashtë anestezi lokale, këtë nuk e kisha parë dhe dëgjuar kurrë më parë”, vuri në dukje ai.
Sfidanti.al