Tre javë të ngjeshura në Kategorinë Superiore deri në fund të tetorit ndërsa brenda 11 ditëve, Partizani dhe Tirana duhet të luajnë edhe ndeshjen derbi, çka do të thotë se në një kohë kaq të shkurtër do të ngarkohen me 4 sfida. Komisioni i Ligave dhe Garave është mbledhur dhe ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të kampionatit “Abissnet Superiore 2023-2024”, nga java e 9-të e deri në javën e 13-të. Ndeshjet e javës së 9-të do të luhen të ndara në tre ditë, konkretisht më 21, 22 dhe 23 tetor, duke nisur me sfidën Skënderbeu – Vllaznia dhe do të mbyllet me duelin Erzeni – Partizani, të hënën e 23 tetorit.
Ndërkaq, ndeshjet e javës së dhjetë do të luhen të ndara në dy ditë në datat 27 dhe 28 tetor, duke nisur me sfidën Kukësi – Vllaznia dhe duke ulur siparin me dy ndeshjet Teuta – Partizani dhe Skënderbeu – Egnatia, që do të zhvillohen në të njëjtën orar 17:00. Ndeshjet e javës së 11-të do të luhen në mesjavë, konkretisht në datat 31 tetor dhe 1 nëntor, duke nisur me sfidën Egnatia – Kukësi e duke u mbyllur më 1 nëntor me Vllaznia – Erzeni.
Menjëherë më pas do të zhvillohet edhe java e 12-të në datat 4,5 dhe 6 nëntor. Në fundjavë do të luhen katër takime, ndërsa të hënën do të zhvillohet ndeshja e fundit e javës së 12-të, Partizani – Vllaznia në orën 18:00. Ndërsa java e 13-të do të luhet e gjitha në fundjavë në datat 11 dhe 12 nëntor, duke nisur me Egnatia – Partizani e duke u mbyllur të dielën me sfidën Dinamo – Erzeni. Më poshtë edhe kalendari i plotë i javëve të ardhshme deri në pauzën e radhës të ndeshjeve të Kombëtareve.