Mesfushori i Kombëtares shqiptare meriton më shumë se kampionati polak, ku luan aktualisht. Klubi i njohur grek mund të jetë destinacioni i radhës për 27-vjeçarin, por Widezew Lodz ka pretendime të larta financiare.
Julian Shehu mund të ndryshojë kampionat në këtë merkato dimri, por më parë duhet të plotësohen disa kushte. Mesfushori që ka shkëlqyer në kampionatin polak dhe me Kombëtaren kuqezi është një emër që ndiqet nga klube të kampionateve të forta në Europë. Ai ka arritur pjekurinë e duhur si futbollist për të veshur një fanellë më prestigjioze se ajo e Widzew Lodz, ku aktivizohet prej vitit 2022.
Shehu së fundi i është propozuar Panathinaikosit në Greqi. Një klub me emër edhe në arenën europiane, që do të ishte një trampolinë e mirë për 27-vjeçarin. Por ish-lojtari i Laçit ka kontratë me ekipin polak deri në vitin 2028, kështu që Panathinaikosi duhet të paguajë dhe jo pak.
Widzew Lodz kërkon të paktën 2 milionë euro për futbollistin shqiptar dhe tani duhet pare, nëse Panathinaikosi do të bindet për ta shpenzuar një shumë të tillë, apo do të shohë alternativa të tjera. Merkatoja e janarit mund të sjellë surpriza, ndërsa ajo që është e sigurt në këtë moment ka të bëjë me faktin se Shehu është gati për të bërë një lëvizje të rëndësishme në karrierë.
sfidanti.al

