Kevin Kampl lë Leipzigun për t’u kthyer në shtëpi

Lamtumira e Kevin Kampl me RB Leipzig nuk mund të ishte një ndarje e zakonshme. Mesfushori 34-vjeçar, kontrata e të cilit skadonte në fund të sezonit, vendosi të largohej që në fund të janarit pas tetë vitesh e gjysmë me klubin gjerman, ku regjistroi 283 paraqitje dhe 10 gola.

Vendimi i Kampl nuk lidhet me aspektet sportive, por me arsye thellësisht njerëzore. Futbollisti ka zgjedhur të kthehet në Slloveni për të qenë pranë babait të tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Një vendim edhe më i dhimbshëm pas humbjes së papritur të vëllait të madh, Seki, i cili ndërroi jetë në tetor në moshën 51-vjeçare.

Stërvitjet, ndeshjet dhe paga e majme në Bundesliga kaluan në plan të dytë përballë detyrës së një djali ndaj familjes së tij. Kampl ishte lejuar nga klubi të kthehej pranë familjes menjëherë pas vdekjes së vëllait dhe që prej asaj kohe nuk është më vënë në dispozicion të trajnerit Ole Werner. Ndeshja e fundit e tij me fanellën e Leipzigut mbetet ajo e 27 shtatorit ndaj Wolfsburgut, ndërsa përshëndetja zyrtare me klubin dhe tifozët do të bëhet në ndeshjen në shtëpi kundër Bayern Munich më 17 janar.

“Edhe pse ky hap është shumë i vështirë për mua, disa vendime në jetë janë më të rëndësishme se futbolli,” shkroi Kampl në një letër të hapur, duke theksuar se është “në paqe me këtë zgjedhje”. Ai shtoi se muajt e fundit kanë qenë emocionalisht shumë të rëndë për të dhe familjen e tij: “Humbja e papritur e vëllait tim më bëri të kuptoj sa i çmuar është koha dhe sa e rëndësishme është ta kalosh atë me njerëzit që do. Pas gjithë këtyre viteve, e ndjeva se kishte ardhur momenti të kthehesha në shtëpi, sidomos sepse babai im nuk gëzon shëndet të mirë. Koha e humbur nuk rikthehet më.”

Një histori që tregon se, përtej futbollit dhe karrierës, familja mbetet gjithmonë prioritet.

sfidanti.al