Javë pas jave, Kategoria Superiore nuk kursehet në surprizat që e bëjnë çdo ndeshje të pasigurt për një rezultat deri diku të logjikshëm. Në ndalesën e shtatë situata u rëndua disi më shumë me Partizanin dhe Tiranën në humbje por edhe me Teutën që bëri goditjen e madhe në Rrogozhinë pasi ndikoi “shkopi magjik”. Mjaftuan vetëm këto javë për të parë nga të gjitha ngjyrat, që nga 6 golat e Laçit në portën e Teutës dhe deri te hapat falsë të Vllaznisë, Egnatias apo luhatjet e mëdha të humorit tek skuadra si Kukësi, Laçi, Erzeni apo Skënderbeu.
Të gjithë janë aty, dikush më shumë e dikush më pak por formula e re me siguri i ka bërë ekipet më pak cinike, egoiste e llogaritare duke u kthyer në futbollin e “lagjeve”. Askush nuk i rrudh buzët pas një disfate dhe në të njëjtën kohë askush nuk e feston një fitore si të tillë. Të gjithë pothuajse janë dakort për emrat që do të ngjiten mes 4 të parëve, pjesa tjetër do të zgjohet nga gjumi në muajin mars apo prill. Sot kjo është situata në një kampionat që të gjithë e konsiderojnë një angari, ndërsa tifozët mesa duket po mbledhin energjitë dhe paratë për 2 ndeshjet finale të majit.
sfidanti.al