Kur derbi i tretë sezonal mes Partizanit dhe Tiranës pritet të ndezë prozektorët e “Arenës Kombëtare”, është sërish stadiumi ultra-modern për standartet shqiptare që do të shpëtojë prestigjin e sfidës më të ndjerë të Superiores. Partizani i rrezikuar nga Vllaznia e pa entuziazëm por pothuajse me sigurinë e kualifikimit në katërshe dhe Tirana në krizë financiare e sportive në rënie të lirë i beson inertësisë duke shpresuar që Laçi apo Skënderbeu të mos e rrezikojnë. Një derbi pa bujë, pa emocione pa zhurmë dhe pa tifozë. Sikur të mos mjaftonte fakti që dy skuadrat në fjalë ndeshen katër herë në vit, faktorëve që e zbehin u shtohet edhe formula e re e kampionatit që i bën praktikisht të painteresuara të dyja skuadrat për të dhënë maksimumin e për të thyer këmbët në ndeshjen që dikur konsiderohej e “jetës” dhe sot një “mankth” apo telash më shumë e në këtë mes ata që i dashurojnë këto ngjyra janë të vetmit që i vuajnë vërtet ditët e nxehta të derbit që po ftohet dalëngadalë.
Nga Pirro Bardhyli