Italia po kthehet sërish “e kaltër”, djemtë e Mançinit, 3 pikë larg Euro 2020-ës!

Transformimi është tepër I madh për t’u besuar. Italia po shkon nga fitorja në fitore në futbollin europian, vetëm dy vjet pasi dështoi për të shkuar në finalet e Kupës së Botës në Rusi. Pas suksesit 3-1 në fushën e Armenisë, ja ku erdhi edhe triumfi 2-1 në Finlandë, sërish larg shtëpisë, dhe sërish me vështirësi të cilat duhej të përballoheshin.

Gjashtë fitore në gjashtë ndeshje të luajtura në grupin J, 18 pikë dhe 18 gola të shënuara nën drejtimin e trajnerit Roberto Mançini, ndërsa të kaltërve u duhen vetëm tri pikë të tjera për të arritur finalet e Euro  2020-ës. Në Helsinki, gjithçka ndodhi pas pushimit, kur u shënuan edhe golat.

Italianët kaluan në epërsi me njërin nga shënuesit e tyre të zakonshëm, sulmuesin Çiro Imobile të Lacios, në një mbrëmje kur Beloti nuk e gjeti rrugën e rrjetës, ndoshta edhe sepse luajti vetëm 15 minuta. Gjithsesi, finlandezët u duk se mund të merrnin barazimin, kur lojtari I Interit, Sensi, rrëzoi në zonë sulmuesin Temu Puki. Vetë Puki ekzekutoi saktë penalltinë.

Fundi ishte megjithatë I lumtur për katër herë kampionët e botës, të cilët gjithashtu fituan penallti. Vaisanen preku topin me dorë në zonë dhe gjyqtari nuk ngurroi për vendimin e tij, edhe pse mund të quhet vendim u guximshëm. Zhorzhinjo, mesfushori I Çelsit nuk gaboi nga pika e bardhë, me Italinë që mund ta cilësojë veten sërish si të kthyer në radhët e gjigandëve të futbollit.

Sfidanti.al