Situata është vërtet dramatike tek Italia. Trajneri Gattuso është më pak fajtori, mbi të gjitha për Play-off-in.
Tani janë tre. Tre Botërorë radhazi pa Italinë. Kombëtarja “axurre” regjistron kështu një rekord të trishtë, edhe pse ka 4 tituj botërorë të fituar në historinë e saj. Një boshllëk, që asnjë nga skuadrat e mëdha botërore nuk e ka në histori.
Pjesëmarrja e fundit e Italisë në një Kupë Bote është ajo e 2014-ës në Brazil, ku skuadra e drejtuar nga Cesare Prandelli u kthye në shtëpi që pas turit të parë. Mundësia e ardhshme tani i takon 2030-ës, 16 vite më pas. Një shkatërrim për futbollin italian.
Para se të kërkohen fajtorët, duhet analizuar së pari gjeneza e këtij dështimi. Që në grupin kualifikues, dy goditjet nga Norvegjia kanë treguar shumë për vlerën aktuale të Italisë. Në ndeshjen e parë të gjitha përgjegjësitë i mori Luciano Spalletti, që u shkarkua, ndërsa ndeshja e kthmit duhej të kishte ngritur ndonjë alarm më të fortë.
Italia sot është një vend në plan të dytë nga pikëpamja futbollistike. U kuptua që nga zhdukja e 4 skuadrave në Champions League para çerekfinaleve. Lojtarët italianë janë në minorancë në Serinë A dhe shpesh nuk gjejnë hapësirë kur shkojnë të luajnë jashtë, duke u kthyer prapa me kokën ulur pas shumë orësh në stol.
Përjashtime janë Donnarumma dhe Tonali, të vetmit që kanë shpëtuar në këto ndeshje të fundit. Tonali është mesfushori i vetëm që ka një ritëm të mirë. Në sulm, përveç Pio Esposito, Italia nuk po shprehet shumë.
Presidenti i Federatës, Gabriele Gravina, i ka kërkuar trajnerit Gattuso të qëndrojë edhe edicionin e ardhshëm. Ai është më pak fajtor se të tjerët në këtë dështim të radhës.
Në Botërorin e radhës do të marrin pejsë 48 skuadra, më shumë se më parë, dhe Italia nuk do të jetë. Do të marrin pjesë Kepi i Gjelbër dhe Zelanda e Re, por Italia jo.

