Ish-i i Tiranës në “radarin” e Partizanit

Partizani po kërkon të formojë një sulm “bombë” në këtë janar, pas largimeve të elementeve si Cara apo Rrapaj, që në ofensivë ishin lojtarë mjaft të rrezikshëm. Gjatë ditëve të fundit klubi i kuq është vënë në gjurmët e ish-sulmuesit të Tiranës, Florent Hasanit. Sulmuesi nga Vushtrria aktualisht është pjesë e Rapidit 1923 në Rumani, por aktivizimi jo brenda pritshmërive e shtyn atë të mendojë rikthimin në Shqipëri. 27-vjeçari ka lënë të hapur kalimin te Partizani dhe palët kanë nisur bisedimet e para në lidhje me formulën e transferimit dhe kushtet financiare apo afatet e kontratës. Hasani ka edhe një vit kontratë me Rapidin, çka lë si opsion rinovimin, por edhe mbylljen e kontratës me konsensus dhe bashkimin me Partizanin përmes një kontrate të re. Edhe në këtë rast, ashtu si me Xhixhën, Partizani do të duhet të dalë disi nga natyra e “dorështrënguar” e pagave për shkak se të dy lojtarët kanë aktive kontrata të konsiderueshme. Hasani në vitet e fundit ka luajtur si sulmues anësor, por te Tirana ka treguar se mund të luajë edhe në qendër. Një tjetër pozicion që ai e mbulon mjaft mirë është ai i regjisorit pas sulmuesve. Ardhja e tij do të rriste shumë kreditet e ofensivës së kuqe. I vetmi skepticizëm që ekziston është fakti se Hasani prej një viti nuk ka luajtur rregullisht dhe mbetet të shihet nëse do të jetë në gjendje të kontribuojë menjëherë në nivele të larta. Hasani iu bashkua Rapidit në janarin e vitit të shkuar për shifrën e 300 mijë eurove, që shkuan në arkat e Tiranës. Më Rumani në një vit ai ka grumbulluar vetëm 1458 minuta. Sulmuesi e ka nisur karrierën në vendlindjen e tij me ekipin e Vushtrrisë, për të kaluar më pas tre Trepça 89, përpara se të kalonte në kampionatin hungarez e izraelit. Ai numëron edhe 8 paraqitje dhe 1 gol me përfaqësuesen e Kosovës.

sfidanti.al