Ilir Daja ka ndryshuar Dinamon

Goleada e së hënës ndaj Elbasanit ishte një tregues i qartë i ndryshimit të Dinamos së këtij sezoni, e investuar për të qenë në Europë, pse jo dhe kampione e vendit. Dhe një nga faktorët kryesorë të ndryshimit është pa dyshim trajneri Ilir Daja, me të cilin kryeqytetasit janë të pamposhtur. Blutë deri tani kanë zhvilluar 9 ndeshje me Dajën në krye dhe kanë grumbulluar 17 pikë, duke mbajtur aktualisht vendin e 3-të dhe 1 pikë pas kreut. Ndryshimi i Dinamos është i qartë dhe nuk reflektohet vetëm në tabelën e renditjes. Me Dajën në stol skuadra ka ndryshuar së pari mentalitetin, duke shfaqur vazhdimisht karakter me disa fitore të arritura në sekondën e fundit. Dinamo nuk dorëzohet lehtë si sezonin e shkuar. Kryeqytetasit kanë pasur luhatje në lojë dhe këtë gjë trajneri e ka pohuar publikisht, por në çdo rast ia kanë dalë të marrin rezultat pozitiv. Kjo është thelbësore për një klub me pretendime të rëndësishme këtë sezon. Edhe kur pësojnë gol blutë reagojnë mirë dhe tregojnë forcën e tyre, siç ka ndodhur në ndeshjet kundër Partizanit, Vllaznisë, Egnatias dhe Bylisit.

sfidanti.al