Ikja e legjendave, Buskets dhe Alba kanë fituar së bashku 50 trofe!

Ishte diçka tjetër që pritej me më shumë interes. E vërtetë që gati 90 000 tifozë kishin ardhur në stadiumin “Kamp Nou” për të ndjekur ekipin e tyre te zemrës në javën e parafundit të La Ligë, por kërshëria e tyre kishte të bënte me lamtumirën e dy legjendave. U desh të pritej diçka më shumë se 90 minuta, ndërsa Barcelona fitoi 3-0 ndaj Majorkës, me golat e shënuar dy herë nga Ansu Fati dhe një herë nga Ferran Torres, ndërsa më pas nisi një ceremoni me shumë emocione. Kapiteni Sergio Buskets dhe mbrojtës i shquar Zhordi Alba i dhanë fund karrierës me fanelën “blaugrana”. Mesfushori 34-vjeçar pritet të shkojë në Arabinë Saudite, aty ku ndodhet Kristiano Ronaldo, ndërsa mbyll një cikël të madh.

Buskets ishte i fundit i mbijetuar nga Brezi i Artë i Pep Guardiolës që nisi epokën e mbiquajtur “tiki taka” në 2008. Ai luajti në krah të Mesit, Ksavit, Iniestës apo Pujolit dhe fitoi 34 trofe, aq sa ka vite jetë, ndërsa në “Kamp Nou” luajti për 15 vjet. Zhordi Alba mbërriti diçka më vonë në ekip, në 2012, dhe në 11 sezone mori 16 tituj. Lamtumira ishte madhështore, ashtu siç legjendat e meritonin, ndërsa tifozët ishin të lumtur edhe me titullin që Barcelona e ka fituar prej disa javësh. Një mirupafshim u dha edhe për stadiumin legjendar, i cili do të duhet të mbyllet sezonin e ardhshëm, sepse do të nisë modernizimi.

Sfidanti.al