Humbje pa nder, Kili na turperon … 3-0

Shqipëria është përballur të premten me Kilin në të parën miqësore, nga 4 të tilla, që kuqezinjtë kanë programuar në rrugëtimin e përgatitjeve të tyre drejt fazës finale të Evropianit të verës, që do të mbahet në Gjermani. Trajneri Silvinjo i ka dhënë shansin fillimisht të rikthyerit Rei Manaj në majën e sulmit në formacionin e nisjes dhe është sulmuesi i Sivasporit që nuk reagon siç duhet në minutën e 10-të, kur Bajrami vjedh topin në zonën kundërshtare, pason për 27-vjeçarin, i cili nuk arrin të devijojë përballë portierit Bravo. Loja në vijim do të jetë e hapur, me Kilin pak më të rrezikshëm në inkursionet e veta dhe, në minutën e 20-të, amerikanolatinët gjejnë rrugën e rrjetës, kur pas një topi në zonë, Vargas reagon shpejt dhe shënon.

Kuqezinjtë protestojnë për prekje me dorë të topit nga Davila, por gjyqtari Paireto e cilëson golin të vlefshëm. 25 minutat e mbetura të pjesës së parë dhe minuta e vetme shtesë nuk sjellin  gola të tjerë dhe pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të Kilit, ndërsa e dyta, që ka parë Shqipërinë ta nisë me të njëjtin formacion, ka të njëjtën tablo, me një lojë të hapur të të dyja skuadrave që kërkojnë golin që mund të ndryshonte shumëçka. Gjysmëora e fundit do të sjellë ndryshime në formacionin e Silvinjos, që aktivizon fillimisht Laçin dhe Muçollin, e pastaj Brojën dhe Muçin. Broja shpërdoron një mundësi të mirë për të barazuar në minutën e 76-të, ndërsa debutimin kuqezi e bën 3 minuta më pas edhe Arbër Hoxha. Por skuadra e Silvinjos duket se është zhbalancuar, pasi Kili do të gjejë edhe dy gola të tjerë, me Boladosin 6 minuta para fundit të kohës së rregullt dhe Davilës në minutën e dytë shtesë, duke i shkaktuar kështu Shqipërisë humbjen e dytë nën drejtimin e trajnerit brazilian.

sfidanti.al