Heronjtë e Tajlandës do të marrin si dhuratë bluzat e Kroacisë

Fëmijtë e ekipit junior të Tajlandës që qëndruan të bllokuar në një shpellë mali plot 17 ditë dhe që u shpëtuan që të gjithë bashkë me trajnerin e tyre si rezultat i një aksioni të madh ndërkombëtar, do të marrin si dhuratë bluzat e përfaqësueses së Kroacisë që zuri vendin e dytë në Botërorin e fundit. Federata kroate e futbollit vendosi që t’u dërgojë heronjve të rinjtajlandezë 12 bluza të përfaqësueses kroate.

“Mbas kthimit së përfaqësueses kroate nga Botërori i Rusisë, federata kroate e futbollit dhe njeriu nr.1 i saj, Davor Shuker, morën vendimin që t’u dërgojnë 12 bluza të ekipit kroat nënkampion të botës  futbollistëve të rinj tajlandezë që, për shkak të shirave monsun, mbeten të bllokuar shumë ditë në shpellë. Federata kroate shpreh kënaqësinë e vet se djemtë tajlandezë po e marrin veten gradualisht dhe këto bluza ne po i dërgojmë në shenjë kujdesi për situatën e vështirë që ata kanë kaluar dhe si një mbështetje të vazhdueshme nga ana e jonë për këta djem të rinj trima e kurajozë”, theksohet në njhoftimin e federatës kroate të futbollit.

Heronjtë e rinj tajlandezë u ftuan nga presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, që të vinin të shihnin finalen e madhe të Botërorit mes Francës dhe Kroacisë, por gjendja shëndetësore e djemve që sapo kishin dalë nga shpella mbas 17 ditësh bllokimi atje, i pengoi ata që të shkonin në Moskë.

Sfidanti.al