Harry Kane ka deklaruar së fundmi për mediet britanike se do të qëndrojë te Bayern Munich edhe për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i kombëtares angleze ka një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2027 dhe, të paktën për momentin, nuk ka asnjë synim për ta ndërprerë atë përpara kohe. Një vendim që, sipas të gjitha gjasave, po ndikon drejtpërdrejt në planet e klubit bavarez për merkaton e verës. Sipas gazetës gjermane ‘Bild’, qëndrimi i Kane po ndikon në strategjinë e blerjeve të Bayern-it, veçanërisht në repartin ofensiv. Emra si Benjamin Šeško dhe Viktor Gyökeres janë prej kohësh në listën e dëshirave të drejtuesve bavarezë, por prania e Kane si titullar fiks mund të kufizojë hapësirat e tyre për lojë, duke i bërë të mendojnë dy herë për një transferim në Gjermani.
Kjo situatë mund t’i shtyjë sulmuesit e rinj të kërkojnë alternativa të tjera, veçanërisht në Premier League, ku shanset për të qenë protagonistë janë më të mëdha. Prandaj, vendimi i Harry Kane për të vazhduar aventurën në Mynih nuk ndikon vetëm te formacioni i Bayernit, por edhe në ecurinë e tregut të sulmuesve dhe në zgjedhjet e atyre që janë në kërkim të një skuadre të re.
sfidanti.al