Guardiola nuk e kishte menduar kurrë kështu ndeshjen e 200-të me Sitin

Doli një humbje, por sidomos një nga ato që lenë shenjë. Njëri nga trajnerët më të mirë të historisë së futbollit deshi ta festonte me fitore ndeshjen e tij të 200-të në stolin e Mançester Sitit, por një kundërshtar në letër modest nuk e lejoi. Kristël Palas, i drejtuar nga luftëtari Patrik Vieira, mori një sukses të madh në stadiumin “Etihad” me rezultatin 2-0. Siti e përfundoi ndeshjen me 10 vetë kur Ajmerik Laporte doli me të kuqe në fund të pjesës së parë, ndërsa për londinezët shënuan Zaha dhe Gallager. Guardiola u ankua me elegancë nga arbitri, por pohoi se humbja nuk erdhi prej tij. “Edhe kur ishim me 10 vetë ndaj 11, duhej të tregoheshim ndryshe, me karakter më të fortë, – tha Pepi, – për fat të keq, shumë, shumë gjëra na shkuan keq. Kristël Palasi është skuadër e vështirë, edhe vjet ne morëm vetëm 1 pikë me të”. “Kur luan në fushën e Sitit nuk mund ta kesh zotërimin e topit, por duhej të mbroheshim mirë dhe ia dolëm”, -tha Vieira

Sfidanti.al