Në një kampionat të stisur si ai i sezonit të shkuar, Luftëtari ishte një nga bukuritë e pakta. Ndoshta për këtë mund të jemi edhe dakord, nëse sjellim në vemendje se si Partizanin e ndaluan të fitonte një tjetër titull kampion pas një çerek shekulli, Skënderbeun e masakruan sikur t’i kishte hyrë fshehurazi në shtëpi, dikë e ndihmuan sa u doli shpirti, ndërsa Tirana ndërroi apartament, zbriti një kat më poshtë pas 97 vjetësh. Ndërsa gjirokastritët i llogaritën fillimisht si kalimtarë të rastësishëm, nga ata që ngjiten në Superiore sa për një sfilatë 10 mujore, siç ka ndodhur edhe me të tjerë kohët e fundit. Në fakt këtë trajtim pati, çfarë nuk i punuan, por ata kishin ndërtuar një ansambël të këndëshëm dhe na u imponuan të gjithëve. Për fatin tonë të mirë, meqenëse ende na intereson futbolli i vendit, por vetëm për fatin tonë, Luftëtari nuk ishte si të tjerët që mbërritën përpara tij në elitë, siç ishin fjala vjen Tërbuni, apo më pas Korabi, të cilët i sollën, por pas pak javësh nuk kishin para as për autobuz. Gjirokastritët na ofruan një futboll të bukur, “bio”, pasi u ndërtuan kryesisht me talente vendas, të lënë jashtë vëmendjes të skautëve tanë pagabueshëm. Por në këtë ambjent, ku edhe ëndërrat klasifikohen si demode dhe kanë tendenca të t’i ndërpresin me përdhunë, nuk kishim pse të shpresonim, për të pasur gjatë edhe atë Luftëtarin që na pëlqente.
Me të filluar sezoni i ri, klubin nga jugu e klasifikuan sërish në krye të listës së skuadrave që do të zbrisnin një kategori më poshtë, megjithëse bluzinjtë nuk kishin pësuar shumë firo nga merkato e verës. Më pas, lufta u sofistikua, por edhe u egërsua njëkohësisht, siç ndodh rëndom ndaj gjithçkaje të mirë. Dejvi Bregut, Kristal Abazajt dhe ndonjë tjetër futbollisti të spikatur iu bënë oferta publike, bashkangjitur edhe me çmime konkrete, madje askush nuk e mohonte faktin se futbollistët edhe ishin kontaktuar, duke eleminuar kështu klubin që i ka nën kontratë. Në asnjë vend tjetër nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, pasi është e palejueshme, ndërsa këtu nuk ka rregulla, dikush e ka ligjëruar këtë rrëmujë dhe më shumë akoma, ka legjitimuar “Ligjin e Xhunglës”. Por nuk përfundon këtu, sepse për t’i dhënë më shumë kuptim kësaj pabesie, kanë hapur fjalë se do të largohet edhe presidenti, kështu që klubi nuk është më i sigurtë dhe… ikni për të shpëtuar kokën. Gjithçka ndodh në janar, në prag të merkatos, ndërsa askush nuk ndërhyn për ta ndaluar këtë mbrapështi. Presidenti Tavo deklaron se ndjen përbuzje, neveri për thashethemet, por në fakt ishte vetë ai që e kërkoi belanë, duke u rreshtuar në krahun opozitar të institucionit të futbollit. Ndërkohë që tani i kanë sajuar një telenovelë të mbushur me intriga, që deri në serinë e fundit ka gjasa t’ia kenë shkatërruar skuadrën. Të ndërtosh një ekip me vlera nuk do të thotë shumë në këtë ambjent, ndërsa të jesh qingj i Perëndisë mundet edhe t’i rezistosh kohës… ndërsa Golja i Gjirokastrës e ka gjuhën e gjatë.