Çfarë mund të bëj më shumë një trajner futbolli, për ta pasur më pas të sigurtë vendin e punës? Në Shqipëri nuk ka ndonjë kriter, sepse pankina është konceptuar si një tradhëti e ngritur në institucion. Trajneri Gjoka është larguar nga stoli i Kukësit me mënyrën tradicionale, pikërisht me atë të shëmtuarën, me të cilën tashmë jemi mësuar dhe nuk është se na trondit shumë. Pas një edicioni të gjatë kishte programuar disa ditë pushime, ndërkohë që presidenti pothuajse e ka mbyllur me një tjetër. As një mesazh telefonik, sa për një falenderim, qoftë edhe vetëm për hir të kortezisë, por në të kundërtën, menjëherë u shpërnda në shtyp se kur do të bëhej prezantimi i pasardhësit.
Për herë të parë në historinë e tij, Kukësi fitoi titullin kampion me këtë trajnerin që po e largojnë pa i dhënë një kafe lamtumire. Gjatë të gjithë sezonit, nën drejtimin e Ernest Gjokës, skuadra verilindore humbi vetëm tri herë, në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Luftëtarit, kur gjithçka kishte përfunduar, në Kupë ndaj Tiranës, që ishte një dhuratë dhe nga Sherifi i Tiraspolit në Moldavi. Pra shifra të frikshme, por që tashmë po mundohen t’i zhverësojnë nga brenda, duke shpërndarë fjalë se nuk ishte Gjoka ai që ka meritën e tyre, por vetë presidenti. Nëse është kështu, atëherë është edhe më e frikshme se vetë shifrat, pasi është njëlloj si të pranosh se kampionati i fituar nuk ishte aspak real dhe si me Gjokën, apo edhe me Gegën në pankinë, verdiktet e edicionit janë të paracaktuara. Gjithsesi, Nesti pret ende kafen e Gjicit, vetëm sepse Pejiç humbi një penallti, pas 11 të shënuara gjatë kampionatit dhe që ndikuan direkt në fitimin e trofeut.