Gjimshiti optimist për Anglinë

Para përballjes historike ndaj Anglisë, kapiteni i Kombëtares shqiptare foli me qetësi dhe besim për sfidën e radhës në kualifikueset e Botërorit. Ai theksoi rëndësinë e organizimit, forcën e grupit dhe faktin që ekipi mendon vetëm ndeshje pas ndeshjeje, ndërsa fjalët për kundërshtarin dhe sulmuesit e tij treguan respekt, por jo frikë.

Statistikisht jeni ekipi më i mirë i viteve të fundit. Mendoni se mund të bëni mirë ndaj Anglisë?

Statistikat nuk i di, unë mendoj ndeshje pas ndeshjeje. Sigurisht është diçka e mirë kur sheh ato statistika. Kemi një kundërshtar të fortë, por kemi vetëbesim dhe duam ta vëmë në vështirësi këtë kundërshtar të madh.

Të jesh përballë Harry Kane, sa e vështirë është? Anglia nuk ka pësuar asnjë gol.

Nuk është vështirësia vetëm imja. Edhe mbrojtësit më të mirë në botë do ta kishin shumë të vështirë. Por nuk mbroj vetëm unë, është detyrë e gjithë skuadrës. Jemi të përqendruar për të bërë më të mirën dhe për të marrë një rezultat të mirë. Shpresoj të shënojmë.

Për herë të parë Shqipëria është në play-off. A po mendoni për kundërshtarët e mundshëm?

Sigurisht që mendojmë, sepse është diçka e madhe. Edhe para Andorrës e mendonim. Në këtë pikë, do të mendojmë vetëm për Anglinë, sepse është një kombëtare nga e cila mund të mësosh shumë. Pastaj, kur të hidhet shorti, do të mendojmë për kundërshtarët e radhës në play-off.

Është reparti i mbrojtjes së Shqipërisë më i miri që kemi pasur ndonjëherë?

Nuk e di, këtë duhet ta gjykojnë njerëzit nga jashtë. Di të them se kemi një organizim shumë të mirë; nuk ka rëndësi kush luan, sepse taktikisht kemi rritur cilësinë. Nuk është vetëm mbrojtja, por e gjithë skuadra që mbron.

Pse Harry Kane është i ndryshëm nga sulmuesit e tjerë? Dhe ndoshta Foden mund të luajë si 9 fals?

Harry Kane lëviz shumë, nuk rri afër portës, është teknikisht shumë i fortë dhe me shumë cilësi. Është e vështirë të luash kundër tij. Edhe Foden lëviz shumë, dhe ne duhet të punojmë si skuadër për t’i ndalur.

 

sfidanti.al