Furbolli i femrave mbyll sezonin e rregullt

Ka përfunduar java e 18-të dhe e fundit e kampionatit “Abissnet Superiore” për vajza, teksa tashmë i gjithë fokusi është te “Final 4”. Vllaznia, Apolonia, Tirana dhe Partizani do të luajnë shanset për titullin kampion, teksa shorti për “Final 4” do të hidhet nesër në orën 11:00, në “Shtëpinë e Futbollit”. Në javën e 18-të, Apolonia fitoi ndaj Partizanit me rezultatin 2-0, ndërsa Vllaznia triumfoi me rezultatin e thellë 9-0 ndaj Kinostudios. Tirana mposhti 5-1 Teutën, ndërsa sot u zhvilluan edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 18-të. Skënderbeu fitoi 2-1 ndaj Lushnjes, ndërsa Gramshi barazoi 1-1 me Laçin.

Shorti i “Final 4” do të përcaktojë çiftet gjysmëfinaliste. Ndeshjet do të zhvillohen me takime vajtje-ardhje, teksa sfidat e para do të luhen në fushën e ekipeve të renditura më poshtë në renditje. Në rast barazimi tё pikёve pas dy takimeve tё lojës sё rregullt, skuadra e renditur mё mirё nё klasifikim kualifikohet pёr nё ndeshjen finale. Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni do të luhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”. Sakaq, dy ekipet që nuk kalojnë në finale do të zhvillojnë një ndeshje me një takim, për të përcaktuar vendin e tretë dhe të katërt, me ndeshjen që do të luhet po në “Shtëpinë e Futbollit”.

Rezultatet e javës së 18-të në kampionatin “Abissnet Superiore” për vajza:

Partizani – Apolonia                  0-2

Tirana – Teuta                            5-1

Vllaznia – Kinostudio                 9-0

Gramshi – Laçi                            1-1

Skënderbeu – Lushnja               2-1

sfidanti.al