Fundi i vitit zbret në Federatë vetë Zotin

Fundi i çdo viti i dedikohet festive të njëpasnjëshme, si dhe bilanceve, me këto të fundit që dalin gjithmonë shumë positive. Në Shqipëri, përgjithësisht është një kohë mburrjesh pa limite, ndërkohë ata që ndjehen të rëndësishëm pranojnë çdo ftesë, duke dalë jashtë natyrës së tyre, për të qenë kudo prezent dhe për të shpërndarë në këtë mënyrë imazhin e madhështisë së njeriut të thjeshtë. Dhe si gjithmonë, superlativa për veten, në çdo kontakt me ndonjë njeri që mund të ta shpërndajë fjalën, siç janë ata të shtypit. Në Shqipëri kushdo është i pari, madje i shkëputur ndjeshëm nga ndjekësi më i afërt, ndërsa ai që drejton futbollin, duket se nuk ka fare ndjekës. Së fundi, Duka gjeti një shprehje, për të bërë të ditur zyrtarisht, se nuk ka asnjë konkurent: Vetëm Zoti mund të më largojë nga Federata. Ky po që është një marsh shpejtësie, të cilin kanë nguruar ta përdorin edhe mburravecët më të mëdhenj të këtij vendi mburavecësh.

Pra me fjalë të tjera, nëse Barcelona ka Mesin që bën magjira në fushën e lojës, ne kemi Mesian që mund të sajojë çudira kudo që të ndodhet. Në futboll, ne kemi një njeri të aftë për t’i bërë të gjitha, që nga biletashitësi dhe deri tek xhelati i gijotinës. Kemi dikë që mund ta përdorë edhe Kombëtaren, sikur ta ketë prodhim të oborrit të shtëpisë së tij. Ne kemi njërin që ka ngritur një kolegjum privat arbitrash, që dënon qytete të tëra dhe zhvlerëson legjenda të këtij sporti. Pikërisht këtu, disa kilometra larg Tiranës, jeton ai që mund të vendosë kampionët, pa pasur nevojë fare që të luhet. Aq shumë u ka imponuar “grintën” e tij bashkëpunëtorëve të rinj dhe të vjetër, saqë edhe vetë trajneri Panuçi filloi t’i kalojë shkallët dy e nga dy, duke thënë që e gjeti shqipërinë në vendin e katër dhe e renditi një shkallë më sipër. Gjë që nuk ishte e vërtetë, por mbi të gjitha nëpërkëmbi pa u menduar dy herë, punën e paraardhësit të tij shqiptaro-italian. I gjithë ky është një bilanc vërtetë mbresëlënës, madje nuk kemi as si të besojmë më në ritin britanik: Mbreti vdiq, rroftë mbreti… pasi për Zotin nuk mund të përdoret e njëjta shprehje.